Qëndrimin zyrtar në Zvicër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e filloi me pjesëmarrjen në konferencën “Business Agility Day”. Si folës kryesor në këtë konferencë, ai prezantoi para përfaqësuesve të rreth 150 kompanive ndërkombëtare përparimin e vendit dhe potencialin për investime të huaja. Ai theksoi përkushtimin dhe angazhimin e vendit tonë për transformim digjital dhe inovacion, duke hapur kështu rrugë për partneritete të reja dhe zhvillim.
“Është nder për mua të jem këtu sot në mesin e disa prej mendjeve më transformuese në fushën e biznesit dhe teknologjisë. Me njëri-tjetrin ndajmë një qëllim të përbashkët: ndërtimin e organizatave të qëndrueshme, adaptueshme dhe inovative, të përgatitura për ndryshimet e shpejta që po e definojnë botën moderne. Unë jam këtu për t’ju bërë ftesë që të drejtoni shikimin tuaj kah juglindja (e kontinentit), në drejtim të një vendi të gatshëm për të mbështetur dhe rritur ambiciet tuaja – Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të adresimit të tij.
Ai veçoi pozitën gjeografike të Kosovës, politikat fiskale dhe tatimore, lehtësirat doganore për importin e pajisjeve dhe lëndës së parë për prodhim, infrastrukturën digjitale, popullatën e re e të edukuar, qëndrueshmërinë institucionale, progresin ekonomik, përparimin demokratik dhe sundimin e ligjit si karakteristika kryesore dhe përparësitë e vendit tonë për investime të huaja.






