Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për takimin e mbrëmshëm me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe deklarimin e këtij të fundit se janë pajtuar me Prishtinën për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit. Kurti tha se ndërmjet marrëveshjeve me Serbinë nuk ka hierarki, prandaj ato duhet të zbatohen në tërësi.
Ky reagim i Kurtit erdhi pas pyetjeve të gazetarëve se a janë pajtuar që të zbatohet edhe Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet nga një marrëveshje tjetër, pra nuk ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato janë të vendosura në rrafshin horizontal”, deklaroi Kurti, i cili u fokusua edhe për angazhimin e fundit të diplomatëve amerikanë e evropian për arritje e një marrëveshjen finale me Serbinë.




