Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasi ka ndezur qirinj para stacionit të Policisë së Kosovës në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku, ka thënë se ka dështuar përpjekja për destabilizimin e Kosovës nga Serbia.
Në një deklaratë për media Kurti ka thënë se bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht nga Beogradi zyrtar.
“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist i cili ka planifikuar dhe përgatitur gjatëkëtë çfarë ka ndodhur sot dhe që nuk paraqesin një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht nga Beogradi zyrtar”- deklaroi ai.
Kreu i ekzekutivit tha se ka qenë në fshatin Samadrexhë për ngushëllime tek familja e policit Bunjaku.
“Unë porsa mbërrina para stacionit të Policisë në Qendër nga fshati Samadrexhë ku ishim për ngushëllime tek familja e policit, Afrim Bunjaku dhe këtu me ndezjen e qiriut, secili prej neve e shtojmë një dritë të vogël, për shpirtin e madh të Afrim Bunjakut i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij, ndriqoi rrugën e shtetit të së drejtës së Kosovës që nuk zmbrapset para asnjë krimineli e terroristi”- tha Kurti.
“Falënderoj qytetarët që kanë ardhë këtu për të bërë nderime dhe për të treguar se Afrimin e kemi afër në zemrat tona dhe se rruga e shtetit ligjor, rruga e kushtetutshmërisë, dhe e ballafaqimit me kriminelët e terroristët është rrugë që do të ndjeket nga të gjithë ne”- shtoi ai.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tuyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.