Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq i është përgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.
Plenkoviq, i cili po merr pjesë në seancën e Këshillit Evropian në Bruksel, para mediave tha se Kroacia nuk ka nevojë që për këtë ujdi trepalëshe të pyesë as Serbinë, as NATO-n, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Ne ishim në gjendje të krijonim një dokument që ndihmon përpjekjet e tyre për reforma. Ai nuk është i një natyre armiqësore. Unë e kuptoj që duhet kërkuar një armik më tej, por kjo nuk është e natyrës armiqësore. Kroacia nuk ka nevojë ta pyes askënd për këtë, as Serbinë dhe as NATO-s”, tha Plenkoviq nga Brukseli.
Kujtojmë se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të martën Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes.
Deklarata për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, e nënshkruar nga të tre vendet, ka tërhequr vëmendje të madhe dhe reagime të nxehta në Serbi. Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiq e quajti nismën “provokative”, ndërsa autoritetet në Beograd njoftuan se Serbia ishte gati të konsideronte bashkëpunimin në mirëbesim me Kroacinë dhe Shqipërinë.
Gjatë ditës së djeshme, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Në një deklaratë të lëshuar për mediat të mërkurën mbrëma, MPJD theksoi se kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar me qëllim t’i nënshkruajë—duke dëshmuar edhe një herë qëllimet e saj të këqija dhe mungesën e vullnetit për t’u angazhuar në një dialog të mirëfilltë. Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë.”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.
Sipas MPJD-së retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, “pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian”.
Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka dhënë më tepër detaje rreth marrëveshjes së nënshkruar të martën në sektorin e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Vengu tha se ka pasur përpjekje në zonën kufitare të Kosovës për të krijuar situata destabilizimi dhe situata që kërcënojnë rendin dhe sigurinë.
“Vlerësimi ynë dhe i të gjitha strukturave aleatë në fakt është se në zonën kufitare janë bërë disa përpjekje për të krijuar situata destabilizmi dhe situata që kërcënojnë rendin dhe sigurinë. Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe vigjilentë që t’i parandalojmë këto situata. Ndaj ne kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur që NATO të kërkojë një vigjilencë më të madhe dhe KFOR të ketë instrumente më të mëdha operacionale dhe mjetesh në dispozicion në terren. Kërcënimet mund të jenë edhe të natyrës hibride, krime kibernetike, sabotazhe, elementë të kësaj natyre që mund të krijojnë destabilizim. Gjithashtu kemi kërkuar që qeveria e Kosovës të rakordojë të gjitha veprimet e saj me KFOR-in”, tha Vengu, për EuronewsAlbania.
Ai tha se është një marrëveshje e hapur dhe nuk është një marrëveshje ekskluzive.
“Patjetër që është një marrëveshje ku rëndesa jepet nga përfshirja e këtyre tre shteteve të para. Ne kemi pasur interes edhe nga kolegët bullgarë për tu përfshirë, sepse edhe ata kanë të njëjtin lexim të kërcënimeve në rajon, kanë të njëjtin dedikim për sa i përket destabilitetit. E njohin Kosovën dhe rëndësinë që ka integriteti i saj, sikundër kemi dhe një bashkërendim kur vjen puna te mënyra se si e konsiderojmë rëndësinë e korridorit 8. Nëse Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do kenë dëshirën për t’ju bashkëngjitur parimeve të kësaj marrëveshje, pa dyshim jemi krejt të hapur”, tha ai./Reporteri.net/