Deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj- Prljaskaj në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth tragjedisë që ndodhi të dielën në Kroaci ku humbën jetën dhjetë persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.
Lekaj-Prljaskaj tha se kjo ishte një tragjedi e rëndë derisa u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u dëshiroj shërim të shpejtë qytetarëve që po trajtohen ende në spitalin e Sllavonski Brod.
“Qeveria kroate dhe qeverisja lokale kanë dhënë një kontribut shumë të madh, dhe duhet t’i falënderoj emergjencën dhe spitalin e Sllavonski Brodit të cilët në një kohë të shkurtë kanë arrit në vendin e ngjarjes dhe brenda një ore kanë kryer operacionet e dy personave që kanë qenë në gjendje kritike dhe pastaj me ardhjen time dhe ambasadorit Kasapolli kanë bashkëpunuar me ne dhe na kanë informuar për çdo gjë, na kanë lejuar të kemi kontakt edhe me pacientët”, ka thënë Lekaj-Prljaskaj.
Deputetja shqiptare ka shpalosur edhe disa detaje tjera rreth komunikimit të saj me kryeministrin kroat dhe kryeministrin Kurti.
“Gjatë shkuarjes time në vendin e ngjarjes e kam njoftuar kryeministrin Andrej Plenkoviq i cili më është zotuar se do të na ndal në ndihmë dhe do ta kemi mbështetjen e tij, pastaj e kam kontaktuar dhe kryeministrin Kurti i cili shprehi gatishmërinë që ti vizitojë pacientët, gjë e cila edhe ndodhi pastaj”, u shpreh deputetja.
Lekaj-Prljaskaj gjatë kësaj interviste tregoi se kryeministri kroat Plenkoviq i kishte kërkuar t’i mësonte se si të fliste shqip para se ti vizitonte pacientët e shtrirë në spitalin e Sllavonski Brodit.
“Mua më len përshtypje humanizmi i tij, momenti kur ka ardhur në Sllavonski Brod në spital më ka thënë Ermina që së bashku do të shkojmë ti vizitojmë pacientët ti do të flasësh shqip unë kroatisht dhe më tregon në gjuhën shqipe se si thuhet “mirëdita” dhe “si jeni”.
Ai dy herë brenda dy orëve i ka vizituar pacientët dhe i ka dhënë mundësi vetes që ti mësoj dy fjalë në gjuhën shqipe”, u shpreh ajo.
Ndryshe mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur 21 nga të mbijetuarit e aksidentit që janë në gjendje më të mirë shëndetësore, kurse sot kanë arritur edhe trupat e pajetë të dhjetë viktimave.