Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka deklaruar se dëshirojnë të shohin stabilitet dhe zgjidhje të shpejtë të situatës në veri të Kosovës. Ai ka thënë se duhet të lehtësohen bisedimet dhe të qetësohet menjëherë situata në veri të vendit.
Në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë, ai ka potencuar se e ka kuptuar qëndrimin e Kosovës në raport me Serbinë në përgjithësi, duke e pëmbledhur me tri fjali, kërkim falje për agresionin e Millosheviqit, njohje dhe pastaj normalizim.
“Mendimi ynë për Kosovën, para së gjithash, dëshirojmë të shohim stabilitet, paqe dhe zgjidhje të shpejtë të këtij incidenti që ndodhi disa ditë më parë ku u plagosën disa pjesëtarë ushtarakë të KFOR-it, kjo është e para. E dyta është se ne jemi të vetëdijshëm për situatën delikate të ekuacionit përfundimtar të situatës së Kosovës. Mënyra se si unë e kuptova në shumë aspekte qëndrimin e lidershipit të Kosovës është si vijon në raport me Beogradin, apo me Serbinë në përgjithësi, dhe do ta përmbledh në tre fjalë; kërkim falje për agresionin e Millosheviqit, njohje, dhe pastaj normalizim. Me pak fjalë ky është qëndrimi që ne të gjithë mund ta nxjerrim nga baza e qëndrimit të Kosovës, gjë që është plotësisht e kuptueshme. Në të njëjtën kohë që cilido lider politik në Serbi që do e njohë Kosovën, nuk mendoj se ka shumë perspektivë karriere në politikë atje. Kjo e bën zgjidhjen shumë të komplikuar.”, ka thënë ai.





