LAJME

Kryeministri japonez ia kthen letrën Kurtit, shpreh gatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm

Kryeministri japonez ia kthen letrën Kurtit, shpreh gatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Dhjetor 2021, 17:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Japonisë në Austri, Mizutani Akira, i cili është i akredituar si ambasador jorezident i Japonisë në Kosovë.

Akira i ka dorëzuar Kurtit një letër të kryeministrit japonez , Fumio Kishida, i cili i është përgjigjur urimit pas marrjes së postit. Në letër, ai i ka shprehur gatishmërinë e Japonisë për të bashkëpunuar edhe më tej në fusha me interes reciprok.

Kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin japonez për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Kosovë, e cila po ndikon në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Duke vënë në pah rëndësinë e zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale, kryeministri Kurti ka theksuar se “ne duam të kemi prezencë më të madhe të investitorëve japonezë në Kosovë në fushën e infrastrukturës, në energjinë e ripërtërishme dhe në teknologjinë hekurudhore. Në kuadër të kësaj, Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në OSAKA EXPO 2025”.

Kurti e ka falënderuar të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasavara, për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Kosovë. Po ashtu e ka uruar Keisuke Yamanaka, për fillimin e detyrës së tij si i ngarkuar i Ambasadës së Japonisë në Kosovë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika