Home LAJME Kryeministri i Shqipërisë niset drejt Hagës për ta takuar ish-presidentin Hashim Thaçi

Kryeministri i Shqipërisë niset drejt Hagës për ta takuar ish-presidentin Hashim Thaçi

0
Kryeministri i Shqipërisë niset drejt Hagës për ta takuar ish-presidentin Hashim Thaçi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas pjesëmarrjes në samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, është nisur drejt Hagës, për ta takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili tash e pesë vjet po mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale.

Në një paraqitje “live” në rrjetet sociale, kryeministri shqiptar u shpreh se shpreson që në fillim të vitit 2026 ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tjerë, të shpallen të pafajshëm.

“Jam rrugës për në Hagë ku do të takoj pas disa kohësh nga takimi i mëparshëm komandantin e UÇK-së, ish- presidentin e Kosovës, i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare.”– u shpreh Rama.

Mes tjerash, Rama tha se ky proces gjyqësor ka shkelur të drejtat e njeriut dhe se për këtë duhet të turpërohen ata që e sponsorizojnë këtë lloj drejtësie.

“Për turpin e madh të gjithë atyre që sponsorizojnë atë lloj drejtësie, ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë. Ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratikisht nga populli, së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra të rëndësishme në Kosovë, mbahen të mbyllur, të izoluar.”- tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vazhdimisht ka shprehur kundërshtime ndaj procesit në Gjykatën Speciale ku për krime lufte po akuzohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai shprehej i habitur se si askush në Kuvendin e Kosovës nuk ka nisur një rezolutë kundër Gjykatës Speciale.

Duke folur në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e atij të Shqipërisë, në vitin 2024, Rama kishte theksuar se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të nisen për integrimin në BE, përderisa në Hagë ish-krerët gjenden në një proces gjyqësor.

“Nëse do ta nxjerr Kuvendi i Kosovës një rezolutë të tillë, Partia Socialiste rezolutën e nxjerrë në Kuvendin e Kosovës ta deponoj në Kuvendin e Shqipërisë”- pati deklaruar Rama.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi për krime lufte, pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here