LAJME

Kryeministri Albin Kurti: Adem Demaçi dhe Astrit Dehari, simbole të përpjekjes për Republikën

Kryeministri Albin Kurti: Adem Demaçi dhe Astrit Dehari, simbole të përpjekjes për Republikën
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Shkurt 2026, 20:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar figurat e Adem Demaçi dhe Astrit Dehari në përvjetorin e lindjes së tyre, duke i cilësuar si dy nga emrat më përfaqësues të përpjekjes së gjatë për liri, drejtësi dhe Republikën e Kosovës.

Përmes një shkrimi në facebook, Kurti theksoi se Adem Demaçi mbetet “emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar” për organizim të gjerë në funksion të lirisë, bashkimit kombëtar dhe Kosovës Republikë. Sipas tij, veprimtaria dhe sakrifica e Demaçit përbëjnë një themel të rëndësishëm historik në rrugëtimin politik të vendit.

Duke u ndalur te figura e Astrit Deharit, kryeministri e cilësoi atë si “emrin më të dalluar ndër aktivistët e rinj” në vazhdim të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim shoqëror, barazi dhe përkujdesje për të gjithë qytetarët.

Kurti nënvizoi se data 26 shkurt, ditëlindja e të dyve, nuk përfaqëson thjesht një përkim kalendarik, por mbart “domethënie të thella” që, sipas tij, vijojnë të frymëzojnë dhe të dëshmojnë për drejtimin që duhet ndjekur përpara.

Sipas kryeministrit, trashëgimia politike dhe morale e Demaçit dhe Deharit mbetet udhërrëfyes në përpjekjet për forcimin e Republikës dhe avancimin e vlerave të drejtësisë e barazisë në Kosovë.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika