Kryetari i trupit gjykues e ka mbyllur çështjen gjyqësore në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Charles Smith i falënderoi ekipet e mbrojtjes dhe “të gjithë personat të cilët kanë ndihmuar për realizimin e suksesshëm të kësaj çështjeje gjyqësore”.
“Jemi ndjerë shumë të ndihmuar prej kontributeve për të siguruar drejtësinë e procesit dhe që ekipet e mbrojtjes dhe të akuzuarit kanë marrë shërbime efektive gjatë gjithë kohës”, tha ai, duke e falënderuar edhe stafin administrativ të gjykatës.
Kryegjykatësi tha se për datën e shpalljes së aktgjykimit do të jetë në kontakt me avokatët dhe Prokurorinë.
“Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sipas nevojës, me palët, për sa i takon datës së shpalljes dhe shqiptimit të aktgjykimit”, tha Smith.
Sot, në fund të çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi dhanë fjalët e tyre përmbyllëse. Të katërtit u deklaruan të pafajshëm.
Prokruoria e Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej tyre.
Tani, çështja i kalon trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e aktgjykimit.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.