Kohëve të fundit ka një rritje të konsumit që po shoqërohet me një shkallë të madhe të keqpërdorimeve të ujit të pijshëm. Si rrjedhojë e kësaj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” sha , përmes një komunikate për media, ka njoftuar për aktivitetet që do të zhvillohen në bashkëpunim me Drejtorinë Regjionale të Policisë së Kosovës në Prizren dhe Drejtorinë e Inspektoratit Komunal të Komunës së Prizrenit për parandalimin e keqpërdorimit të ujit, duke thënë se personat që do të hasen duke keqpërdorur ujin e pijes do të ndëshkohen me gjobat e parapara sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.
Njoftimi i plotë:
” KRU “Hidroregjioni Jugor” sha, me qëllim të furnizimit me ujë edhe në këto ditë të nxehta të verës, në takimin e mbajtur sot me Drejtorin Regjional të Policisë së Kosovës në Prizren, Drejtorin e Inspektoratit Komunal të Komunës së Prizrenit, jemi dakorduar që ekipet tona së bashku me policinë e Kosovës të inspektojnë në lokacionet, ku kemi keqpërdorimet më të mëdha të ujit. Personat që do të hasen duke keqpërdorur ujin e pijes do të ndëshkohen me gjobat e parapara sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.
Konsumatorë të çmuar, kohëve të fundit ka një rritje të konsumit që po shoqërohet me një shkallë të madhe të keqpërdorimeve të ujit të pijshëm, kryesisht në disa lokacione specifike.
Si pasojë e këtyre keqpërdorimeve nga konsumatorët e pandërgjegjshëm, kohë pas kohe është i pamundur furnizimi për disa pika më të larta.Prandaj, te kjo kategori e konsumatorëve kërkojmë mirëkuptim në pamundësinë e furnizimit të rregullt me ujë të pijes.
Andaj, me qëllim të furnizimit me sasi të mjaftueshme dhe të barabartë për të gjithë konsumatorët, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” sha, apelon te të gjithë që të racionalizohet shpenzimi i ujit të pijes dhe të mos keqpërdoret për arsye të panevojshme.”