LAJME

Kritika për Kalanë e Prizrenit i kushton arkeologut me zbritje page

Kritika për Kalanë e Prizrenit i kushton arkeologut me zbritje page
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Korrik 2026, 07:17

E shpejtë ka qenë Ministria e Kulturës në ndërmarrjen e masave ndaj arkeologut Shafi Gashi për një deklaratë dhënë “Kohës Ditore” në lidhje me gjendjen e Kalasë së Prizrenit. Do të marrë një të tretën e pagës për tre muaj. Masa ka ardhur menjëherë pasi arkeologu Gashi e ka kritikuar vendimin për mbylljen për vizitorë të një pjese të Kalasë së Prizrenit dhe ka kritikuar Ministrinë për mosinvestime në mirëmbajtjen e këtij aseti

Për tre muaj, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi do ta marrë pagën me zbritje prej 30 për qind. Komisioni Disiplinor ia ka shqiptuar këtë masë, pasi ka konstatuar se është deklaruar për media, saktësisht për “Koha Ditore” pa leje paraprake nga hierarkia. Të paktën në mbamendjen e punonjësve të Institutit Arkeologjik të Kosovës, kjo është hera e parë që një punonjësi profesional të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës i shqiptohet masë disiplinore e iniciuar për deklarim në media pa leje paraprake. Masa ka ardhur menjëherë pasi arkeologu Gashi e ka kritikuar vendimin për mbylljen për vizitorë të një pjese të Kalasë së Prizrenit dhe ka kritikuar Ministrinë për mosinvestime në mirëmbajtjen e këtij aseti.

“Komisioni Disiplinor, konstaton se z. Shafi Gashi, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës ka kryer shkelje të rënda të detyrës, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, neni 56, nën-paragrafët 4.4 dhe 4.7”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. E në të dytën bëhet shqiptimi i masës.
“Komisioni Disiplinor përcakton masën ndalim të pagës bazë prej 30% (tridhjetë) për periudhë kohore prej 3 (tre) muajsh në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publikë, neni 57, paragrafi 2, nën paragrafi 2.1, si masë adekuate për shkeljet e rënda të konstatuara”, shkruhet në pikën e dytë në vendimin e nënshkruar nga zyrtarët Drilona Belallari në cilësinë e kryesueses së Komisionit dhe anëtarët Fatmir Kastrati e Etida Smaka.

Inicimi i procedurës disiplinore ka zënë fill në ditën e 28 prillit të këtij viti kur “Koha Ditore” ka publikuar lajmin “Kalaja e Prizrenit ku u investuan mbi një milion euro, pjesërisht e mbyllur për vizitorë”. Në këtë tekst arkeologu Gashi në cilësinë e udhëheqësit të projektit nëpërmjet të cilit Kalaja ka marrë funksionalitetin që ka, kishte thënë se monumenti në të gjitha fazat asnjëherë nuk është mbyllur.
“Mbyllja e një pjese të caktuar nëse fillohet me punime ka një logjikë. Por meqenëse deri më sot nuk kemi asnjë raport ose të dhënë që ka ndodhur ose mund të ndodhin lëndime, atëherë cila është logjika e mbylljes së disa zonave. Për më tepër nuk e kuptoj në asnjë formë se përse nuk merren hapa praktikë. Emergjente janë shtigjet e ecjes dhe tabelat informuese. Ato s’kanë kosto të madhe financiare”, kishte thënë arkeologu i cili bart titullin doktor i shkencave të Universitetit të Vjenës dhe ka menaxhuar mbi një milion euro në fazat e hulumtimeve dhe restaurimit të monumentit. Prej kësaj shume 700 mijë dollarë qenë donacion i Ambasadës Amerikane në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore. Gashi kishte kritikuar Ministrinë se prej vitit 2019 s’ka investuar në Kala duke bërë që monumenti të degradojë. Po ashtu kishte thënë se mbyllja e disa pjesëve s’është arsyetuar me kurrfarë raporti ekspertësh.

Raportimi i “Koha Ditore” për mbylljen e një pjese të Kalasë për vizitorë është publikuar në orën 10:00 të ditës së 28 prillit. Pa u bërë tre orë Ministria e Kulturës kishte ndërmarrë masa ndaj Gashit. Fiks në 12:50 nëpërmjet një shkrese të gjatë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizimit, Bislim Bislimi, kishte kërkuar që ndaj Gashit të iniciohet procedurë disiplinore. Nëpërmjet shkresës me të cilën i është drejtuar Njësisë për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe vetë arkeologut Gashi, Bislimi ka konstatuar se nëpërmjet prononcimit arkeologu ka kryer “shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive nga marrëdhënia e punës”.

“Ju nuk keni marrë leje nga eprorët tuaj të drejtpërdrejtë për të bërë prononcime apo prezantime profesionale të Institutit Arkeologjik në publik. Me këtë veprim ju keni konsumuar shkeljen e rëndë të detyrave dhe përgjegjësive tuaja të parashikuar me nenin 56 (paragrafi 4.4) dhe nenin 56 (paragrafi 4.7) të Ligjit për zyrtarët publikë”, shkruhet në këtë shkresë. Neni 56 i këtij Ligji përcakton “Shkeljet e detyrave dhe përgjegjësive”. Kurse paragrafët e cekur si shkelje i kategorizojnë: “moszbatimin e dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale” dhe “sjelljen e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil”. Këta dy paragrafë janë edhe baza nëpërmjet se cilës i është shqiptuar masa disiplinore arkeologut Gashi. Në shkresë sekretari Bislimi përmend disa herë se Gashi s’ka pasur autorizimin për deklarimin e tij për “Kohën Ditore”. /koha.net/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika