Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha sot në kuvend se krizën nëpër të cilën po kalon Kosova, qeveria s’po e shesh si krizë ekonomike, por si luftë politike.
Ai tha në seancë se këto kriza po gjejnë një vend të lirë për të lulëzuar si pasojë e qeverisë, siç tha ai, e paaftë për të adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët, njofton Klankosova.tv.
“Kosova po kalon nëpër një vit të vështirë i cili si duket do të mbahet në mend si një vit i depresionit shkaktuar nga krizat e njëpasnjëshme që kanë kapluar vendin në shumë sektor. Këto kriza po gjejnë një vend të lirë për të lulëzuar si pasojë e kësaj qeverie plotësisht të paaftë për të adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e vendit. Kjo qeveri më shpejt se çdo mendje e arsyeshme është akomoduar në kolltuqet e pushtetit dhe ka humbur ndjenjën ndaj problemeve të qytetarëve, për faktin se vet janë akomoduar mirë po e vlerësojnë se edhe qytetarët po jetojnë mirë dhe se nuk kanë arsye për të qenë të pakënaqur me kushtet e jetesës në Kosovë. Duke qenë se kanë humb komunikimin me qytetarë dhe me hallet e tyre, krizën nëpër të cilën po kalon vendi qeveria s’po e shesh si krizë ekonomike, por si luftë politike”.





