LAJME

Krasniqi: Për teket e një deputeteje, VV-ja po e mban peng shtetin

Krasniqi: Për teket e një deputeteje, VV-ja po e mban peng shtetin
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Prill 2025, 08:51

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Vetëvendosja po e bllokon qëllimisht konstituimin e Kuvendit sepse nuk i ka numrat për qeverinë.

Ai ka përsëritur se VV-ja duhet ta ndërrojë propozimin për kandidaten për kryeparlamentare, e jo të veprojë për “teke të një personi”.

“Bllokada është e qëllimshme dhe po vjen nga VV-ja si parti e parë që i takon propozimi. Është e pakuptime, e turpshme që për teket e një personi, një kandidati, një deputeteje  me mbetë peng shteti. Kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës për tekat e një partie e një kandidati. Kanë pasur mundësi që ta ndërrojnë kandidaten sepse nuk imponohen kandidati kur s’e ke shumicën parlamentare. Problemi është që këta nuk e kanë shumicën, nuk kanë numra për Qeveri dhe fakti që Albin Kurti s’mundet me qenë kryeministër i ardhshëm është duke i mbajtur peng institucionet dhe shtetin”, ka thënë ai pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Krasniqi ka shtuar se ka edhe emra të tjerë në radhët e VV-së që PDK-ja nuk i voton po ashtu.

“Hapin e parë e ka personalisht Albin Kurti si kryetar i VV-së. Ai duhet ta ndërrojë këtë kandidat. Ose duhet me konstituu kuvendin ose me shku me marrëveshje politike, me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk ka zgjidhje tjetër”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika