Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Krasniqi pas takimit ka thënë se i është përgjigjur ftesës së Kurtit, pasi sipas tij, është e rëndësishme t’ia shprehë qëndrimet e PDK-së drejtpërdrejtë.
Sipas tij, nuk ka asgjë të re nga takimi, pasi qëndrimet e tij me Kurtin nuk përshtaten.
Ka shtuar se preokupimet e qytetarëve, nuk janë preokupime të Kurtit.
I pari i PDK-së ka thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundshme, pasi sipas tij, ato nuk janë dëshirë e tij por nevojë për vendin.
“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente. Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë ai.
Sipas tij, janë të gatshëm për të gjetur një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.
Krasniqi ka thënë se ka punuar për këtë çështje pa luftuar që ta marrë flamurin e protagonizmit.
Sipas tij, zgjedhjet nuk janë dëshirë e PDK-së por nevojë e vendit.
Krasniqi ka thënë se nuk kanë diskutuar për draft-statutin e Asociacionit.
Ai ka thënë se mocionin për zgjedhje duhet ta bëjnë bashkë me partitë tjera dhe sipas tij, duhet të bëhet në muajin maj dhe jo më vonë.
Sipas tij, ftesën për takim e ka pranuar për t’u marrë me tema që iu interesojnë qyetarëve.
Në takim, përveç Kurtit e Krasniqit, kanë qenë të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare.