Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në mbledhjen e nesërme të qeverive të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, duhet të trajtohet çështja e arrestimit të veteranëve të UÇK-së nga shteti fqinj.
Krasniqi ka thënë se kjo është një prej çështjeve kryesore që duhet trajtuar, e që nuk është në agjendë.
“Të hënën, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, i cili është një hap i mirë për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, para çfarëdo mbledhjeje tjetër, Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë, një praktikë e rëndësishme për unitetin dhe bashkëpunimin ndërshqiptar, e cila është ndërprerë nën qeverinë aktuale të Albin Kurtit.
Këto takime mbeten jetike për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e lidhjeve tona kulturore, ekonomike dhe politike. Sa i përket takimit me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, janë së paku dy çështje kyçe që duhet të trajtohen seriozisht, e të cilat nuk janë fare në agjendë. Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cenon raportet tona ndërshtetërore.
Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ku shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.