Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se plotësim/ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Ligji për festat zyrtare nuk po arrin të miratohet në Kuvendin e Kosovës pasi Lista Serbe nuk po merr pjesë në votim.
Përmes një konference për shtyp të dielën, Krasniqi ka thënë se Lista Serbe nuk ka ndonjë arsye specifike pse nuk po e voton Ligjin për vetëqeverisje lokale, porse shpreson ta gjejnë gjuhën e përbashkët shumë shpejt.
“Ligji për vetëqeverisje lokale është kryer dhe është dorëzuar në afat në Kuvend. Por ky ligj bën pjesë në ligjet vitale dhe na duhet edhe vota e komuniteteve. Fatkeqësisht, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk duan ta votojnë. Lista Serbe nuk ka asnjë kërkesë specifike për ligjin. Por thjesht nuk marrin pjesë në seancë kur votohet. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjejmë një gjuhë të përbashkët”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tregoi se në plotësim/ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, Kuvendi Komunal mund të shpërndahet në tri situata, dhe jo dy sa ishte deri më tani.
“Kemi shtuar disa elementë të rëndësishëm në këtë ligj. Kuvendi Komunal mund të shpërndahet në tri situata, dhe jo dy sa ishte deri tash. Kur s’mund ta zgjedhë kryesuesin, kur nuk mund ta votojë buxhetin dhe në situatën kur nuk plotëson obligimet ligjore kushtetuese”, ka thënë ai.
Për Ligjin për festat zyrtare, Krasniqi tha se me ndryshimet që do të bëhen, nuk do të ketë obligim që festat zyrtare që bien gjatë fundjavës të zëvendësohen me ditë të pushimit.
Plotësim/ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale është kundërshtuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës më herët. AKK-ja akuzoi Qeverinë për mos-ftesë në kohën kur u bë draftimi i këtij Ligji. /koha.net/