Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka reaguar pas deklaratave të ambasadorëve të cilët shprehën shqetësim për moscertifikimin e Listës Serbe.
Në një postim në Facebook, Krasniqi thekson se shqetësimi i vërtetë duhet të jetë “ngulfatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga ana e Listës Serbe”, e cila sipas tij, përveç pjesëmarrjes në veprime kriminale dhe sulme kundër rendit kushtetues, kontrollon financat që vijnë nga Beogradi dhe i përdor për qëllime të dyshimta.
Ai gjithashtu kritikoi heshtjen e ambasadorëve lidhur me bllokimin që opozita me Listën Serbe po i bën të drejtës demokratike të mërgatës për të votuar, duke e konsideruar këtë një pengesë serioze për procesin zgjedhor.
“Të dashur ambasadorë, shqetësimi i vërtetë do të duhej të ishte ngulfatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetetit serb nga ana e Listës Serbe, e cila përveç faktit që është pjesëmarrëse direkte në sulmet dhe veprimet kriminale dhe terroriste kundër rendit kushtetues, ajo gjithashtu kontrollon dhe menaxhon me financat e Vuçiqit në Kosovë duke shantazhuar qytetarët serb në Kosovë dhe duke i përdorur ato mjete për financimin e kriminelëve që kanë sulmuar përveç policisë së Republikës së Kosovës edhe vet pjestarët e KFOR, pra bashkëkombasit tuaj. E dyta, është heshtja juaj ndaj bllokimit që opozita me Listën Serbe po i bëjnë ushtrimit të së drejtës demokratike të mërgatës për të votuar” – shkruan Krasniqi.
