LAJME

Krasniqi emëron një “ministre” të Mbrojtjes në Kabinetin për Qeverisje të Mirë

Krasniqi emëron një “ministre” të Mbrojtjes në Kabinetin për Qeverisje të Mirë
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Maj 2022, 16:00

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi sot ka prezantuar Koordinatoren e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë.

Në krye të kësaj detyre, i pari i PDK-së e ka caktuar Besa Kabashi-Ramaj, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një video prezantimi, kreu i PDK-së u shpreh entuziast se një eksperte për siguri kombëtare dhe mbrojtje, siç është Besa Kabashi-Ramaj, do ta udhëheq njërin prej departamenteve më të rëndësishme të Kabinetit për Qeverisje të Mirë në PDK.

“Besa ka mbi 10 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe çështjeve ndërkombëtare, sigurisë kombëtare, politikave publike, sektorit të sigurisë dhe reformave në fushën e mbrojtjes. Përveç në Kosovë, Besa ka studiuar dhe ka punuar në SHBA dhe Evropë, me ekipe ndërkombëtare dhe ndërkulturore, në fushat e sigurisë kombëtare, reformës në sektorin e sigurisë, si dhe mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore. Me përvojën e saj, bashkë me një ekip shembullor brenda Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa do të udhëheqë punën në ofrimin e alternativës sonë për fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, që do të jenë ndër fushat prioritare të KQM-së“, theksoi Krasniqi.

Po ashtu edhe Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa Kabashi-Ramaj u shpreh mirënjohëse për besimin e dhënë në këtë detyrë, duke thënë se siguria kombëtare duhet të jetë baza e shtetit të Kosovës, të ndërtuar me mund e sakrificë.

“Vetëm së bashku mund të krijojmë një të ardhme të sigurt, një të ardhme që fëmijët tanë ta konsiderojnë ta kenë këtu, në Kosovë, e jo diku larg saj. Prandaj, në ndërtimin e Platformës së Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, ftojmë dhe presim bashkëpunim të ngushtë, që nga partitë tjera e deri tek shoqëria civile, ekspertët e fushës, partnerët ndërkombëtarë, e mbarë qytetarët e Republikës së Kosovës, shqetësimet e sigurisë të të cilëve do t’i dëgjojmë me vëmendje”, tha Kabashi-Ramaj.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika