Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Kransiqi i ka quajtur të pasakta dhe absurde deklaratat e kryeministres të Serbisë, Ana Bërnabiq se “Serbia është model për garantimin e lirive dhe të drejtave për pakicat”.
Krasniqi, i cili edhe i ka dërguar një letër kryeministres serbe për të diskutuar për pakicat, ka thënë se shqiptarët në Luginë të Preshevës duhet të kenë trajtim të njëjtë sikurse që kanë serbët në Kosovë.
Sipas tij, Kosova prin sa i përket respektimit të të drejtave të komuniteteve, veçanërisht në jetën publike.
“Letra nuk është veprimi i parë ku ne kemi diskutuar mbi të drejtat e pakicave apo komuniteteve joshumicë në Kosovë… Thellësisht besoj që Kosova jo vetëm në krahasim me Serbinë, por edhe me vendet të tjera në regjion ka një gamë më të gjerë në respektimin, promovimin e vlerave të komuniteteve pjesëmarrjes së tyre në jetën publike. As që krahasohet niveli i të drejtave shumicë në Kosovë me ato në Serbi dhe për këtë unë e ftova Bërnabiq nëse beson vërtet për atë çka e ka deklaruar që të diskutojmë dhe të bëjmë edhe ‘një të tillë’ edhe për komunitetin serb në Kosovës”, ka thënë ai.
Krasniqi ka përgënjeshtruar deklaratat e Bërnabiqit për të drejtat e komuniteteve në Serbi, për çka ajo pretendon se zbatohen me përpikëri.
