Liderët opozitarë kanë kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 18-vjetorin e vdekjes së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se vepra intelektuale dhe politike e Rugovës ka lënë gjurmë drejt arritjes së qëllimeve për liri dhe pavarësi.
“Vizioni i tij për orientimin euro-atlantik të Kosovës duhet vlerësuar gjithmonë, ashtu si edhe shembulli që dha në kultivimin dhe ruajtjen e raporteve të mira me aleatët e shtetit tonë. Vepra intelektuale dhe politike e Dr. Ibrahim Rugovës ka lënë gjurmë në historinë e popullit tonë dhe si e tillë mbetet e veçantë, si një kontribut i çmuar në arritjen e qëllimeve tona për liri dhe pavarësi”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se presidenti Rugova me drejtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin.
“Presidenti Ibrahim Rugova, me drejtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin, veçmas duke shfaqur kujdesin në forcimin e miqësisë së përjetshme me SHBA-në. Sot, në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta e kujtojmë dhe nderojmë angazhimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare në rrethana shumë të rënda për shqiptarët e për Kosovën. I jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, është shprehur Haradinaj./KOHA/