Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e kufizimit të lëvizjes për të shtunën dhe të dielën.
Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka thënë se kërkesa për heqjes së orës policore për 48 orë, është kërkuar edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së.
Teksa ka folur për këtë kërkesë, Elezi shpreson se Qeveria do t’iu miratojë këtë kërkesë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe me qëllim të kryerjes së detyrave gjatë procesit të votimit, do të jenë të angazhuar rreth 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimit si dhe rreth 25 mijë vëzhgues do të jenë prezentë në vendvotime për të parë nga afër procesin e votimit. Prandaj për të mundësuar kryerjen e detyrave zyrtare dhe duke qenë të vetëdijshëm për masat kufizuese, që përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit, KQZ-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës më datë 16 dhe 17 tetor”.





