Kanë kaluar vetëm dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë organizimin e një tjetër procesi zgjedhor.
Për këtë, KQZ-së do t’i duhet të kërkojë buxhet shtesë në Qeverinë e Kosovës, pasi një pjesë e buxhetit të planifikuar për zgjedhjet lokale u shpenzua për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën në shkurt.
Ndonëse akoma nuk është shpallur data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një intervistë tha se ky institucion ka filluar me planifikimin e detyrave.
“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njësitë përkatëse, janë duke bërë planifikimet dhe detyrat për organizimin e zgjedhjeve lokale, për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Natyrisht se fillimi i përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, në këtë rast zbatimi i planit operacional fillon pasi të kemi shpalljen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve nga Presidentja e Kosovës, kështu që jemi në pritje dhe pastaj KQZ të fillojë më zbatimin e të gjitha detyrave që dalin nga ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale”, tha Elezi.
Sipas ligjit për buxhetin e Kosovës të vitit 2021, në programin e zgjedhjeve kanë qenë të ndara 8 milionë euro.
“Viti 2021 është vit i rregullt zgjedhor dhe duke qenë i tillë, Kuvendi i Kosovës në ligin për buxhet të këtij viti ka planifikuar buxhet për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, siç e dimë ka ndodhur që të kemi zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në muajin shkurt, dhe një pjesë nga këto mjete janë shfrytëzuar për qëllim të organizimit të tyre”.
“Në këtë situatë, është e domosdoshme që të bëjmë një kërkesë për buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës. Sigurisht se kërkesa do të dërgohet pasi të shpallen zgjedhjet, sepse deri atëherë do ta kemi një planifikim buxhetor”, u shpreh Elezi.
Zgjedhjet lokale, përmes së cilave do të zgjedhën kryetarët në 38 komuna dhe këshilltarët në 38 kuvende komunale, pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.