Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në 10 komuna, votat do të rinumërohen në tërësi, ndërsa në 28 komuna do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve. Rinumërimi do të nisë sot.
Sipas KQZ-së, vendimi erdhi pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ), i cili gjatë verifikimit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit ka evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara për kandidatë dhe atyre të shënuara në fletëvotime. SKQZ-ja më pas ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2 për qind të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.
“Deri dje, 12 janar, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.
Bazuar në këto gjetje, KQZ-ja ka vendosur që në 10 komuna të rinumërohen 100% e vendvotimeve. Këto komuna janë: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu.
Ndërkaq, në 28 komunat e tjera do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve. Ato janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.
Rinumërimi i vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të nisë më 13 janar (sot), në orën 18:00./KOHA

