LAJME

KQZ: Vazhdon numërimi i votave me postë, mbi 72 mijë pako të aprovuara deri më tani

KQZ: Vazhdon numërimi i votave me postë, mbi 72 mijë pako të aprovuara deri më tani
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Qershor 2026, 08:51

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdojnë aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në kuadër të procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.

Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në orën 09:00 të së dielës janë numëruar 36 kuti votimi që përmbajnë zarfe me fletëvotime nga votimi përmes postës, pasi ato janë aprovuar paraprakisht nga shërbimi votues i institucionit.

KQZ bën të ditur se deri më tani janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve 156 kuti votimi, të sistemuara sipas komunave nga vijnë votuesit e regjistruar. Procesi i vlerësimit të pakove dhe përditësimi i të dhënave në platformën e rezultateve po zhvillohen paralelisht, me qëllim të garantimit të transparencës dhe informimit në kohë reale për publikun.

Votimi përmes postës për diasporën ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të shfrytëzuar këtë formë votimi.

Ndërkohë, në QNR po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura nga jashtë Kosovës. Sipas të dhënave të përditësuara, deri në fund të ditës së shtunë janë shqyrtuar 75,590 pako, prej të cilave 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar.

KQZ ka sqaruar se arsyeja kryesore e refuzimit të pakove lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokument që duhet të shoqërojë fletëvotimin. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 2,571 pako. Arsyet tjera përfshijnë rastet kur në një pako janë gjetur më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person votues, dërgimin e pakove nga shtete të ndryshme nga ato ku votuesit ishin regjistruar, mungesën e fletëvotimit apo të vulës postare, si dhe një rast të evidentuar të fletëvotimit të shtypur.

Po ashtu, sipas KQZ-së, janë regjistruar edhe 42 zarfe të dërguara gabimisht.

Institucioni zgjedhor rikujton se më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë. Nga këto kuti postare janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, shumica e të cilave tashmë kanë kaluar në procesin e vlerësimit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika