Garantim të sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave të kandidatëve gjatë procesit të certifikimit të kandidatëve për zgjedhjet lokale ka kërkuar Demokracia në Veprim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ismet Kryeziu nga kjo organizatë ka thënë se nxjerrja e këtyre informacioneve, pos që përbën shkelje të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, mundet po ashtu të dëmtojë imazhin e kandidatëve e të ndikojë në orientimin politik të votuesve.
Të enjten rrodhën informacione se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka përmbushur kushtet për kandidaturë sepse “s’ka dokumentacion të Kosovës”. Megjithatë, kjo u demantua nga kampi i tij me publikimin e dokumenteve të Ramës.
“Rrjedhja e informacioneve konfidenciale për kandidatët gjatë procesit të certifikimit, para përmbylljes së tij përben shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës përkatëse zgjedhore. Në nenin 30, respektivisht 8, përcaktohet qartazi se Zyra duhet t’i mbajë konfidenciale të gjitha të dhënat mbi kandidatët, deri sa të njëjtit nuk certifikohen nga KQZ-ja. Nxjerrja e këtyre informacioneve në publik, të cilat mund të jenë gjysmake apo të pasakta, mund të dëmtojë imazhin e kandidatëve dhe mund të ndikojë në perceptimin dhe orientimin politik të votuesve. Prandaj Demokracia në Veprim (DnV) kërkon nga KQZ-ja por edhe nga subjektet politike të garantojnë sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave deri në vendimin për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, në mënyrë që këto të dhëna të mos keqpërdoren për përfitime politike apo për të dëmtuar kandidatë apo subjekte të caktuara”, ka thënë Kryeziu me këtë rast.