Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën për Numërimin e Rezultateve, po vazhdon numërimi i fletëvotimeve të votimit me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të 18 komunave, balotazhi i cili u mbajt më 9 nëntor 2025.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në Kosovë janë pranuar, 12 mijë e 18 pako me fletëvotime, nga to janë aprovuar 8 mijë e 932 ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 86.
KQZ njofton se arsyet e refuzimit janë mungesa e dëftesës së regjistrimit në 3 mijë e 9 raste.
Siç bën të ditur KQZ, gjatë 11 dhe 12 nëntorit sipas KQZ, janë tërhequr 13 mijë e 84 pako nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete.
Ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar për postë për këto komuna sipas të dhënave rezulton 29 mijë e 752.
“Për shkak të distancës, 519 pako nga ShBA, Kanada dhe Australi pritet të arrijnë — pas mbërritjes do të vlerësohen dhe numërohen”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ bën të ditur se të premten ka numëruar rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në vendvotime të veçanta dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile.
Rezultatet nga numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta janë publikuar në platformën e rezultateve: https://resultslocal2025r2.kqz-ks.org/ në hapësirën e veçantë Rezultatet QNR.
Në të njëjtën platformë do të publikohen dhe rezultatet pas numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
