Valmir Elezi, zëdhënës i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, për KALLXO.com ka thënë se do jetë sfidë për këtë institucion organizimi i procesit zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër.
Kjo sipas tij, veçanërisht për faktin se akoma KQZ është në fazën përmbyllëse të administrimit të zgjedhjeve lokale.
“Megjithatë, KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me madatin kushtetues dhe ligjor si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”- deklaroi Elezi.
Elezi ka thënë se KQZ nuk ka buxhet të planifikuar për një proces të ri të zgjedhjeve.
“Në mbledhjen e radhës, KQZ do të miratojë planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës”- ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se KQZ ka vepruar kështu edhe në raste të tjera kur ka pasur zgjedhje të parakohshme apo kanë ndodhur pa planifikim gjatë një viti jo-zgjedhor.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025 pasi që mbajti takim me liderët e partive politike në vend, takim i cili erdhi pas dështimit të formimit të Qeverisë nga mandatari i dytë Glauk Konjufca./KALLXO.com
