Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk kanë gjetur dakordim për të votuar buxhetin e planifikuar për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 28 dhjetorit 2025.
Kjo pasi që në këtë mbledhje u bë e ditur se buxheti i propozuar nga Sekretariati, në shumën prej 7 milionë e 771 mijë eurove, nuk ka kaluar përmes Këshillit për Buxhet.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se buxheti është i domosdoshëm. Me këtë rast, ai paralajmëroi se do të mbahet një mbledhje e Këshillit, në mënyrë që ky buxhet të marrë formën procedurale.
“Çkado që të diskutojmë, çfarëdo vendimi që marrim, ajo që na duhet është buxheti. Na nevojitet me u votu një buxhet” – tha Radoniqi.
Kjo pikë e rendit të ditës u shty për një mbledhje tjetër.
Në këtë mbledhje pati mospajtime ndërmjet anëtarëve të KQZ-së, për mënyrën se si do të votojnë qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës – duke plotësuar vetë fletëvotimet dhe dërguar ato me postë, apo duke hapur qendrat e votimit nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
As për këtë çështje nuk pati një vendim.
Fushata zgjedhore për këto zgjedhje do jetë nga 17.12.2025 deri më 28.12.2025.
Presidentja Vjosa Osmani, para shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor, tha se gjatë takimit me krerët e partive politike, një ditë pasi dështoi formimi i Qeverisë Konjufca, edhe njëherë është munduar t’i bind që të formohen komisionet parlamentare dhe të mbahet një seancë në të cilën do të kaloheshin disa çështje – por sipas saj, nuk pati dakordim mes tyre.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.
Sipas numrit të ulëseve, partitë patën: LVV me 48 deputetë; PDK me 24 deputetë; LDK me 20 deputetë; Lista Serbe me 9 deputetë, AAK me pesë deputetë, Nisma me 3 deputetë dhe 10 deputetë nga partitë joshumicë joserbe./KALLXO.com
