Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka miratuar vendimin për caktimin e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën nga 1 janar deri më 31 dhjetor 2024.
Sipas njoftimit, shuma totale e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe mbështetjen e punës së secilit deputet është përcaktuar në 4.8 milionë euro.
Fondi do të përdoret për të mbështetur aktivitetet dhe funksionimin e subjekteve politike, si dhe për të ndihmuar punën e deputetëve në shërbim të qytetarëve.
“KQZ mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024. Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme: 4,800,000.00€”, thuhet nga KQZ-ja.
Sipas tabelës së KQZ-së, shuma për lëvizjen Vetëvendosje është 2 milionë e 52 mijë euro, derisa shuma e ndarë për shpenzime të deputetëve është 228 mijë euro. Në total, shuma e ndarë për këtë subjekt është 2 milionë e 280 mijë euro.
Për PDK-në, janë ndarë 684 mijë euro, derisa shuma për shpenzimet e deputetëve të kësaj partie është 76 mijë euro, që në total i bie 760 mijë euro.
LDK-ja do të ketë në dispozicion 576 mijë euro, ndërkohë që shuma e ndarë për shpenzimet e deputetëve është 64 mijë euro. Në total, për LDK-në janë ndarë 640 mijë euro.
Për Listën Serbe janë ndarë 324 mijë euro. Shuma e ndarë për shpenzimet e deputetëve të kësaj partie është 36 mijë euro, apo në total 360 mijë euro.
AAK-së i janë ndarë 288 mijë euro, derisa për shpenzime të deputetëve 32 mijë, apo në total 320 mijë euro.