Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kufizuar shpenzimet e subjekteve politike për fushatën e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Secili subjekt politik që garon në këto zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë nga një euro për votues, apo mbi dy milionë euro.
Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku mes tjerash është votuar edhe lista preliminare e numrit të votuesve por edhe qendrave të votimit jashtë Kosovës, raporton KosovaPress.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka bërë të ditur për shifrën që duhet të shpenzojë një subjekt politik për fushatën zgjedhore që fillon më 28 maj.
“Sipas planit kohor të aktiviteteve, data 5 maj, do të thotë sot është data e fundit që KQZ duhet të marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve për fushatën e zgjedhjeve për zgjedhjet që mbahen më 7 qershor 2026. Siç e dini, fushata e zgjedhjeve do të fillojë me datën 28 maj 2026 dhe do të përfundojë me datën 7 qershor 2026 para hapjes së qendrave të votimit. Andaj lidhur me rregulloren zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është kalkuluar jo më pak se 1 euro për votues dhe në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që ta aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës të zgjedhjeve me vlerën prej 2 milionë e 92 mijë e 202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare të votuesve të ekstraktit që është marrë me 30 prill 2026”, ka thënë ai.
Në këtë mbledhje, po ashtu është votuar edhe për listën e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike.