Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, për të cilat është marrë vendim sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të rinumërohen për shkak të mospërputhjeve të të dhënave ndërmjet kandidatëve për deputetë dhe subjektit politik.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi arsyet që kanë dërguar deri tek vendimi për rinumërimin e këtyre vendvotimeve. Ai tha se në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik.
“Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi. Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik. Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas”, tha ai.





