Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit të rinumërohen.
Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur sot, pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, pasi që në rinumërimin e pjesshëm janë evidentuar manipulime me vota në mes të kandidatëve të subjekteve politike.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi ka thënë se bazuar në raportin nga procesi i deritashëm i rinumërimit, për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuar janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.
Për dallim nga votat për subjektet politike, ai ka thënë se të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, ka theksuar Radoniqi.
Ai ka thënë se ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi.
KQZ-ja më parë pati vendosur që në 10 komuna të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve. Këto ishin: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu.
Ndërkohë, në 28 komuna të tjera (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut), pati marrë vendim që të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve.
