Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet për asambletë në 37 komuna të zgjedhjeve të 12 tetorit.
Rezultatet përfundimtare u shpallën të hënën në mbledhje të KQZ-së, ndërsa ka mbetur pa u shpallur vetëm edhe në komunën e Drenasit, pasi ende ka mbetur një ankesë në Gjykatën Supreme pa u shqyrtuar, siç tha kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Sipas rezultateve përfundimtare, në Kuvendin Komunal të Prishtinës ndarja e mandateve do të jetë e këtillë: LDK-ja 15, PDK-ja 12, Lëvizja Vetëvendosje 12, AAK-ja 5, Lidhja e Prishtinës 4, PSD-ja 1, NISMA 1 dhe Guxo 1.
Në Gjakovë, AAK-ja do t’i ketë 11 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 7, PDK 5, LDK 5, PSHDK 4, Alternativa 1, E Vërteta 1 dhe Partia Liberale Egjiptiane 1.
Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 13 mandate, LDK 10, PDK 5, AAK 2, Lista Serbe 1, Guxo 1, KDTP 1, Lëvizja Qytetare Vatra 1, Bashkimi për Ndryshim Anamorava 1.
Në Mitrovicën e Jugut, PDK-ja i ka fituar 13 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 7, Guxo 4, LDK 4, AKR 1, Forca e Diasporës 1, NISMA 1.
E në Pejë, LDK-ja ka dal e para me 14 mandate, AAK e dyta me 8, Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 7 mandate, PDK 4, Boshnjaçka Stranka Kosova 1 e Partia Liberale Egjiptiane 1.
Në Prizren, PDK-ja ka dal e para me 13 mandate, Vetëvendosja e dyta me 9 mandate, LDK e treta me 6, Bashkimi Demokratik i Prizrenit i ka fituar 3 mandate, dy mandate i kanë fituar AAK-ja dhe KDTP-ja, e nga një Nova Demokratska Stranka, Koalicija Vakat, NISMA, Guxo, SDU, Yenilikçi Turk Hareket Partisi.
Në Ferizaj, PDK-ja i ka fituar 18 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 9, LDK 7, AAK 3, NE Mundemi 3 dhe NISMA 1.
Rezultatet duhet të certifikohen nga KQZ-ja./KOHA
