Më shumë se 9 mijë e 800 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që u takojnë zgjedhjeve të rundit të dytë për kryetarë të 18 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një deklarim për Ekonomia Online ka thënë se rreth 2 mijë e 570 prej tyre janë refuzuar dhe nuk do të përfshihen në numërim. Kjo pasi sipas tij, në shumicën prej tyre, në 2 mijë e 500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument unik që votuesit e pranojnë nga KQZ kur të regjistrohen.
“Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellë në Kosovë.
Po sipas KQZ-së, në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikohen të dhënat për çdo komunë për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Zgjedhjet lokale në Kosovë kanë prodhuar një hartë të re politike. Pas raundit të parë të 12 tetorit dhe balotazhit të mbajtur të dielën, të gjitha partitë në njëfarë mënyre kanë shpallur fitore.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë fituar nga shtatë komuna, ndërsa PDK-ja 6 e AAK-ja 5. Lista Serbe i ka fituar 10 komuna.
LVV-ja pasi fitoi në raundin e parë Podujevën, Shtimen dhe Kamenicën, në balotazh triumfoi edhe në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.
LDK-ja në raundin e parë fitoi Lipjanin e Istogut, ndërsa në balotazh e fitoi Prishtinën, Pejën, Dragashin, Junikun e Vitinë.
E PDK-ja në raundin e parë e fitoi Skenderajn, Ferizajn dhe Hanin e Elezit, e në balotazh e fitoi Prizrenin, Kaçanikun e Vushtrrinë.
AAK-ja kishte fituar pa balotazh Deçanin, e në balotazh e fitoi edhe Gjakovën, Suharekën, Rahovecin e Klinën, komuna ku ka qeverisur.
