Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë nga nesër do të fillojnë punën me kapacitete të plota.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e 224-të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mbajtur këtë të martë, udhëhequr nga kryesuesi, Jetish Maloku.
“KPK gjatë këtij takim ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të datës 21 tetor 2022, për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe nga nesër e mërkurë, 21 dhjetor 2022, puna në këto dy prokurori do të fillojë me kapacitete të plota”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Bëhet e ditur se në vazhdim të mbledhjes është shqyrtuar dhe miratuar kërkesa e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për avancimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda, me ç’rast, Këshilli ka marrë vendim për shpalljen e brendshme sipas kërkesës së lartcekur.
Në fund të takimit, sipas njoftimit, Këshilli miratoi pjesërisht raportin për vlerësimin e performancës së shtatë prokurorëve me mandat të përhershëm, duke miratuar kështu edhe një kundërshtim të paraqitur kundër këtij raporti.