Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT – e ka paralajmëruar mundësinë e reduktimeve të rrymës gjatë ditëve në vijim, në rast se qytetarët e vazhdojnë shpenzimin në nivel aktual. Këtë mundësi e ngritën edhe ekspertë të energjisë teksa alarmuan se lëvizja e çmimeve në bursat ndërkombëtare mund të ndikojë edhe në rritje të tarifave, nga marsi i ardhshëm.
Mundësinë e reduktimeve të rrymës gjatë ditëve në vijim e ka paralajmëruar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, në rast të vazhdimit të nivelit aktual të shpenzimit të energjisë elektrike.
Nëpërmjet një komunikate të martën, KOSTT-i ka kërkuar që qytetarët ta kursejnë energjinë elektrike. Thirrje të njëjtë, të hënën bënë edhe KEDS-i e KESCO-ja.
“Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës po përballet me ngarkesa maksimale pas rritjes rekord të konsumit të energjisë elektrike. Për të ruajtur stabilitetin e furnizimit dhe për të shmangur masat e reduktimit të energjisë, është thelbësore që të gjithë qytetarët, bizneset, institucionet, të përdorin energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, dhe të bëjnë thirrje te të gjithë për kursim të energjisë elektrike, pasi ngarkesa ka arritur nivele rekorde”, thuhet në kërkesën e KOSTT-it.
Bazuar në të dhëna të Platformës Evropiane të Prodhimit, Tregtimit dhe Konsumit të Energjisë, niveli maksimal i konsumit në Kosovë të martën arriti në 1400 megavat për orë. Prodhimi vendor kapi vlerën e 700 megavatëve për çdo orë, ndërsa energji u importua nga 4 shtetet fqinje.
Mundësinë e reduktimeve e ngriti edhe eksperti i energjisë, Lulzim Syla, teksa paralajmëroi që lëvizja e çmimeve në bursat ndërkombëtare mund të ndikojë edhe në shtrenjtimin e rrymës nga marsi i ardhshëm.
“Mund të ketë ndërprerje eventuale të energjisë elektrike në periudha të shkurtra, ndoshta. Por, kjo duhet të menaxhohet mirë përmes importit të energjisë elektrike, siç është praktikuar edhe viteve të tjera, me shpresën që nuk do të ketë një çmim astronomik të importit të energjisë që më pas kjo të reflektojë në një rritje eventuale gjatë vitit të ardhshëm të energjisë”, ka thënë Syla.
Për ngarkesën në rrjet, Syla tha se shkaktohet nga varësia e qytetarëve në energji elektrike për ngrohje teksa shton se sa herë që mban moti i ftohtë mund të shfaqen edhe sfida teknike në rrjetin e shpërndarjes.
Në KEK thanë se aktualisht energji prodhohet në 4 njësi, e për bllokun A-5, që nuk gjeneron rrymë që nga fillimi i muajit, bënë të ditur se po i nënshtrohet revizionit të planifikuar.
“Kapaciteti i energjisë elektrike është në përputhje me nominimet për ditën e sotme dhe do të vazhdojë të ofrohet në përputhje me përgjegjësitë që ka korporata. Lidhur me këtë, ju bëjmë me dije gjithashtu se KEK, zakonisht operon me 4 njësi gjeneruese me një kapacitet konstant prej 750 deri në 800 MW/h”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
E në kompaninë e distribucionit, KEDS, thanë se si shkak i mbingarkesës po rrezikohen asetet elektro-energjetike, e si rrjedhojë edhe po përfshihen nga flakët.
“Konsumi, që po arrin nivele rekorde historike deri në 1500MW/h, i cili, krahasuar me vitin 2013, kur KEDS-i kishte filluar së operuari, ishte rreth 1000MW/h, përveçse po përballohet në masë të madhe falë këtyre investimeve, po mbulohet komplet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili po arrin deri në 500 megavatë në orë.
Bashkëpunimi juaj është thelbësor në këto ditë. Apelojmë te të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, posaçërisht të kujdesen për ngrohjen me rrymë, në mënyrë që të lehtësohet gjendja dhe rrjeti distributiv ta përballojë më lehtë”, thuhet në njoftimin e KEDS-it të martën.
Për të shmangur ngarkesat, kursimin e energjisë elektrike e kërkuan edhe në Ministrinë e Ekonomisë. Kjo ministri dha edhe këshilla si të kursehet energjia.
“Të dashur qytetarë, kurseni energjinë elektrike, prej orës 18:00-24:00, kur çmimi i importit është i lartë. Si mund ta kurseni energjinë pa prishur rehatinë: Nëse keni mundësi përdorni burime alternative për ngrohje: Stufë me dru apo pelet. Vendosni kondicionerin në temperaturë optimale 24 gradë Celsius. Lëshoni ngrohësin e ujit vetëm kur ju nevojitet. Fikni dritat e panevojshme. Përdorni lavatriçen pas orës 24:00. Uleni koston e energjisë për vete duke kursyer për të gjithë. Çdo veprim çon peshë!”, thuhet në thirrjen e Ministrisë së Ekonomisë.
Gjatë javës së fundit, qytetarë të shumtë në komuna të ndryshme raportuan për ndërprerje të rrymës.