Qytetarë të Kosovës janë ankuar se për dënimet për kundërvajtje që po i marrin me radarë rrugorë në Shqipëri nuk po njoftohen as nga Policia e Shtetit e as nga ajo e Kosovës. Për pasojë, dënimet po u rriten me kamatë ditore prej 2 për qind. Për gjobat e papaguara, të shqiptuara pa dijeninë e tyre, qytetarëve nuk po u lejohet hyrja në shtetin shqiptar me veturën e njëjtë. Për mungesën e njoftimit e të bashkëpunimit institucional Kosovë – Shqipëri, nuk dhanë përgjigje autoritetet e asnjërës palë.
Më 11 shtator tek po udhëtonte nëpër Shqipëri, Lulzim Cakolli, qytetar nga Kosova, u fotografua nga radarët rrugorë duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar. Në aksin rrugor Laç-Thumanë, shpejtësia e lejuar ishte 90 kilometra në orë, të cilën Cakolli e tejkaloi për 37 më shumë. Këtë kundërvajtje e mati pajisja e quajtur “Poliscan”, në bazë të së cilës Cakollit iu shqiptua një gjobë prej 300 mijë lekësh që konvertohet në 304 euro e gjysmë. Por, për gjobën që mori nga shteti shqiptar, Cakolli nuk u njoftua deri para disa ditëve kur deshi të hynte në Shqipëri për kalim transit në Mal të Zi, por u kthye prapa.





