Afro 150 vetura të linjës AMG të markës së veturave ‘Mercedes’ janë në total në pronësi të kosovarëve.
Sipas të dhënave të siguruara nga lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme, numri i veturave të kësaj linje që janë regjistruar përgjatë vitit 2021 është 111, ndërsa totali i tyre është 148.
Në anën tjetër, në faqen e shpalljeve ‘MerrJep’ që mundëson shit-blerjen e produkteve, vetëm për një javë, respektivisht nga 1 deri me 8 dhjetor, janë regjistruar 40 shpallje për shitjen e veturave të linjës AMG.
Trendi i luksit në vetura është vërejtur edhe përgjatë mbylljes totale të vitit të kaluar si rezultat i pandemisë koronavirus.
Të dhënat e dërguara nga Dogana e Kosovës nga lajmi.net tregojnë se nga 1 janari i vitit të kaluar deri më 20 dhjetor në Kosovë janë importuar vetura në vlerë prej 59,225, 415 euro.
Luksi i veturave qëndron në disproporcion me pagën mesatare në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistika të Kosovës, pagat mesatare bruto në Kosovë sillen nga 450-470 euro.
Po ashtu, rroga minimale në vend është 150 euro, ndonëse është premtuar të ngritet në 250 sosh.
GDP-ja e Kosovës është vlerësuar të jetë si një ndër më të ulëtat në raport me vendet e rajonit. Në fundin e këtij viti, është paraparë që GDP-ja të rritet në 7.80 miliardë dollarë, gati 3 fish më pak sesa Shqipëria dhe tetëfish më pak se Serbia.
Çmimi i veturave të linjës AMG varion nga 10 mijë euro e sipër.