Komisioni i Pavarur i Mediave ka ndërprerë transmetimin e katër kanaleve televizive ruse, duke u arsyetuar me nevojën për “ndalim të propagandës që e ka për qëllim rrënimin e rendit demokratik botëror”. Por kosovarët vazhdojnë të kenë qasje në portalet që përhapin propagandë të këtillë. Për bllokimin e portaleve ruse, ARKEP nuk ka pranuar ndonjë kërkesë deri tash. Në këtë institucion kanë hedhur mëdyshje nëse ligjërisht bllokimi mund të ndodhë e në Këshillin e Mediave të Shkruara thanë se nuk merren me portalet që nuk janë të regjistruara në Kosovë.
Si kundërpërgjigje për pushtimin që Rusia e nisi në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka ndalur transmetimin e televizioneve ruse, e edhe operimin e portaleve të lidhura me regjimin e Putinit. Por Kosova nuk i është bashkuar BE-së për ta ndërmarrë këtë masë.
Në Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike e Postare treguan se deri tash askush nuk ka kërkuar bllokimin e portaleve të këtilla.
“Deri më tani ARKEP-i nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare për mbylljen e ndonjë uebfaqeje ruse”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.
Në këtë institucion kanë hedhur mëdyshje, nëse ligjërisht bllokimi mund të ndodhë.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi ende nuk është e definuar korniza ligjore për nxjerrjen e ndonjë vendimi të tillë. Sido që të jetë, me kërkesë të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës ose përmes vendimeve të gjykatave, mund të urdhërohet ARKEP për një veprim të tillë”, thuhet në përgjigje.
E, në Këshillin e Mediave të Shkruara, që funksionon edhe si rregullator i portaleve, thonë se merren veç me portalet vendore.
“Këshilli i Mediave të Shkruara merret me mediat në Kosovë, nuk merret me mediat të cilat janë të bazuara jashtë Kosovës, por po ashtu merret me përmbajtjet që mund të jenë të përkthyera ose të transmetuara në mediat online, pra si përmbajtje e shkruar nga media të ndryshme e që media kosovare e mban përgjegjësinë e publikimit të asaj përmbajtjeje nëse vërtetohet dhe konstatohet se është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara”, ka thënë Imer Mushkolaj, drejtor i KPM-së.
Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës dhe vendimeve të BE-së, Komisioni i Pavarur i Mediave ka ndalur transmetimin e katër mediumeve ruse në platforma kabllore.
Në një përgjigje për KOHËN, në këtë institucion thanë se mosmbyllja do të bartte pasoja për sigurinë e Kosovës.
“Kur bëhet fjalë te siguria publike veprimet duhet ndërmarrë paraprakisht, sepse duhet parandaluar dëmet eventuale. Nëse KPM do t’i priste pasojat që do t’i shkaktoheshin sigurisë së vendit nga një propagandë e tillë, atëherë nuk do ta kishte asnjë kuptim vendimi i KPM-së”, thuhet në përgjigje.
Në total, sipas këtij institucioni, janë katër kanale që kanë qenë në transmetim të ofruesve të shërbimeve kabllore, e që janë ndaluar: Rusia Today, Russia 24, Planeta RTR dhe Rusia Today Doc… Ky vendim, sipas KPM-së, nuk synon të vendosë precedent të mbylljes së televizioneve në Kosovë.
Russia Today është një nga mediumet e ndaluara. Në kanalin e saj në Youtube ajo ende i referohet tentimit të Rusisë për ta pushtuar Ukrainën si operacion special. Aty transmetohen edhe dokumentarë që kanë gjuhë të urrejtjes dhe që e lidhin shtetin e shoqërinë e Ukrainës me nazizmin dhe që i paraqesin rusët si viktimë.