Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka njoftuar se ka nxjerrë vendimin për shpalljen person “non grata” të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
“Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla nuk e ka bërë të ditur identitetin e zyrtarit rus të shpallur non grata, por ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit Federatës Ruse që për synim ka të minojnë arritjet e Kosovës, shkruan Reporteri.net.





