“Nuk jemi të lumtur” – kjo është përmbledhja e reagimeve të zyrtarëve serbë, pasi Izraeli dhe Kosova zyrtarisht vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt.
Ministri i Jashtëm serb, Nikola Sellakoviq tha më 2 shkurt se ky hap do të “ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael”.
“Izraeli vetë zgjodhi se interesin më të rëndësishëm e ka lidhjen me Amerikën dhe ajo që është e rëndësishme për Amerikën sesa Serbia. Është e drejta e tyre legjitime. Ajo që është e rëndësishme është që ne nuk morëm pjesë në atë proces sepse presidenti i (Serbisë, Aleksandar) Vuçiq nuk pranoi (në Uashington) të nënshkruajë ftesën për Izraelin për të njohur të ashtuquajturën Kosovë dhe anasjelltas”, i tha Selakoviq Radio Televizionit të Serbisë (RTS), duke theksuar se nuk ishte as i lumtur e as i kënaqur me marrëdhëniet e sapokrijuara midis dy vendet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi në mënyrë të ngjashme më 1 shkurt, duke thënë se ky vendim nuk do të ketë efekt pozitiv në marrëdhëniet mes shtetit të tij dhe Izraelit.
Në prag të ftohjes së marrëdhënieve
Ivo Viskoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, beson se kjo lëvizje nga Tel Aviv zyrtar, do të ketë pasoja.
“Do të ketë ftohje në vizita – nuk do të ketë vizita në nivelin më të lartë, ndoshta nuk do të ketë vizita në një nivel të lartë diplomatik, por vetëm vizita pune”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai francez Emmanuel Macron flasin për mediat para një takimi në Pallatin Presidencial Elysee në Paris, 1 shkurt 2021.
Vuçiq: Serbia e pakënaqur me marrëveshjen Izrael-Kosovë
Viskoviq vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik do të vazhdojë, por jo në mënyrë intensive.
“Në çdo rast, do të ketë ndryshime në emocionet dhe opinionin e njerëzve sepse kemi kuptuar se nuk ka vende që na mbështesin pa kushte. Gjithkush, gjithmonë dhe mbi të gjitha po shikon interesin e vet,” tha Viskoviq.
Pa ndryshime konkrete?
Nga ana tjetër, Dragosllav Rasheta, një studiues në organizatën joqeveritare “Rruga e tretë e re”, i tha Radios Evropa e Lirë se ai nuk pret ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Izraelit.
Ai beson se retorikë më e ashpër ndërmjet Beogradit dhe Tel Avivit mund të pritet në ditët në vijim, por thekson që nuk do të ketë ndryshime konkrete.
Rasheta thotë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës ishte përfshirë nga administrata e kaluar amerikane e Donald Trumpit brenda kornizës së Marrëveshjes së Uashingtonit, në mënyrë që të vazhdohej fushata e SHBA-së në ndërmjetësimin e normalizimit të raporteve mes Izraelit me shtetet arabe dhe shtetet tjera.
“Trump kishte nevojë për atë agjendë që të mos ndalej dhe pastaj Kosova u paraqit si një vend me shumicë myslimane, që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin”, thotë Rasheta.
SHBA-ja e quan ditë historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael
Ai nënvizon se kryeministri aktual izraelit, Benjamin Netanyahu është përqendruar në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për gjysmën e dytë të marsit, dhe ai nuk pret reagime më serioze nga ai shtet.
Marrëveshja e Uashingtonit
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.
Në dokumentin e nënshkruar të dyja shtetet zotohen që të bashkëpunojnë në shumë sfera për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, 4 shtator 2020
Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë – nga linja ajrore deri te njohja nga Izraeli
Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.
A do të zhvendoset ambasada serbe?
Zyrtarët serbë nuk mund të thonë zyrtarisht se vendimi i Izraelit ishte i papritur, pasi njohja e ndërsjellë e Izraelit dhe Kosovës ishte në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit, ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, thotë Ivo Viskoviq.
Ambasadori izraelit në Serbi: Izraeli e ka njohur Kosovën më 4 shtator
Dragosllav Rasheta beson se Beogradi zyrtar do ta përdorë këtë situatë për të shmangur zhvendosjen e ambasadës serbe nga Tel Aviv në Jerusalem, gjë për të cilën afati është deri më 1 korrik, 2021. Deri më tani, publikisht Serbia nuk ka bërë asgjë për transferimin e ambasadës dhe më 1 tetor 2020, ajo hapi një zyrë të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe Dhomës së Tregtisë të Serbisë në Jerusalem.
“Mundësia e zhvendosjes së ambasadës është relativisht e vogël. Ne do të ishim pothuajse i vetmi vend në botë që do e bënim këtë. Ekziston një presion i madh nga Bashkimi Evropian për të mos e bërë këtë. Ekziston mundësia që Vuqiç të thotë: ‘Ata e njohën Kosovën, ne nuk do ta transferojmë ambasadën’ dhe se kjo sagë do të përfundojë këtu”, thotë Rasheta.
Në dhjetor 2020, ambasadori izraelit në Serbi, Jahel Vilan deklaroi se priste dhe “me të vërtetë beson” që Marrëveshja e Uashingtonit midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë do të “materializohej” plotësisht dhe se Serbia do të zhvendosë ambasadën në Jerusalem.
I pyetur nëse deklarata e tij se Izraeli njohu zyrtarisht Kosovën më 4 shtator ndikoi në marrëdhëniet serbo-izraelite, Vilan tha se ai i konsideronte marrëdhëniet dypalëshe “mjaft të forta në planin afatgjatë dhe të vendosura në baza shumë më të thella sesa interesat e thjeshta”.
Në ceremoninë virtuale të mbajtur më 1 shkurt midis Kosovës dhe Izraelit, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi tha se Izraeli dëshiron një Ballkan stabil dhe se shteti i tij e konsideron Serbinë një partnere po aq të afërt dhe të rëndësishme në Ballkan.(REL).