Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, deklaroi se në Kosovë është shtuar fluksi i turizmit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, e kjo sipas tij për shkak të promovimit të mirë.
Hoti tha në emisionin e mëngjesit në KTV, SOT, të hënën se edhe gjatë sezonit të verës ka interesim për turizëm malor, kryesisht nga ndërkombëtarët dhe bashkatdhetarët.
“Çdo lëvizje nga një vend në një vend tjetër konsiderohet turizëm. Shpenzimi, pra deri diku konsiderohet turizëm, lëvizjet janë ato që e shtyjnë turizmin përpara. Në pandemi dihet që s’kishte lëvizje, me ç’rast s’kishte as turizëm. Po mundohemi ta fusim Kosovën në pako ballkanike të turizmit, çka është diçka pozitive dhe po shkon mirë deri më tash”, deklaroi ai.
Sipas kreut të Unionit, kjo organizatë është shumë aktive dhe po jep maksimumin për t’iu ofruar qytetarëve mundësi të mira për turizëm. Deri më tani, Hoti tha se kanë prezantuar në tri projekte ndërkombëtare promovuese.
Në mars të 2023-s do të jetë viti i dytë i organizimit të panairit ‘Kosova 2023’. Krijuam aplikacionin që është i vetmi për turizëm në Kosovë. Ka plot qytetarë që po e instalojnë sepse është pa pagesë dhe tashmë duke e parë nevojën, nënshkruam një marrëveshje me universitetin kanadez, ku nga shtatori do të fillojnë trajnimet për recepsionist e kamerier”, tha Hoti.





