Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, deklaroi se Kosova rrezikon të mbetet pa profesionistë policorë, në rast se trendi i dorëheqjeve nga ky institucion vazhdon të jetë i lartë.
Ai deklaroi të martën në emisionin “SOT” të KTV-së, se kushtet ekonomike dhe mospërmirësimi i mirëqenies, janë ndër arsyet kryesore që zyrtarët policorë po i ikin Kosovës.
“Kemi informacione se në vazhdimësi shumë policë kanë kërkesa nëpër ambasada për viza pune. Disa tyre po ndodhin për shkak të kushteve të këqija që disa vite po na përcjellin. Është edhe ana financiare, pra një pagë që nuk i plotëson kushtet për një familje të një zyrtari policor. Kemi edhe kushte të tjera që shumë vite na është premtuar ose është rregulluar me udhëzim administrativ, që të na paguhet shujta ditore. Kjo ka ndodhur prej 2018-s, por kurrë s’ka ndodhur. Ka qenë edhe një shpërblim me një pagë në fund të vitit për policët që kanë performancë të mirë, por nuk realizohet”, deklaroi Zeqiri.
Ai tha se ndër problematikat e policëve është edhe transporti, pasi një pjesë prej tyre detyrohen të udhëtojnë me vetura private deri në vend të punës, e në disa regjione posedojnë minibus, por që sipas tij, janë amortizuar.
“Policëve nuk iu paguhet as udhëtimi, shkaktari apo fajtori në gjithë këtë kanë qenë qeveritë e kaluara, por edhe kjo Qeveri. Ju bëj thirrje që ta kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës, ose nesër-pasnesër do të mbesim pa profesionistë. Kërkesat që i kemi adresuar po dëgjohen, qoftë me shkresa zyrtare ndaj qeveritarëve. Kemi shprehur dëshirën që të ulemi e të diskutojmë”, deklaroi Zeqiri.
Sipas kreut të sindikatës, policët e Kosovës ndiejnë edhe mungesën e ligjit të pensionimit, duke shtuar se tash e disa vite, Policia ka mbetur pa ndonjë përkrahje stimuluese.
“Nëse ky trend fillon ne do të mbesim pa profesionistë. Të gjithë zyrtarët kanë arritur një profesionalizëm të lartë. Në Policinë e Kosovës po i mban ai vullneti për ta mbrojtur vendin. Ne vazhdimisht po e bëjmë rekrutimin e policëve të rinj. Sot nis një rekrutim e një gjenerate të re, fillon me 460 zyrtarë, që është ndër gjeneratat më të mëdha. Vullneti është jashtëzakonisht i madh për të mbrojtur vlerat e këtij vendi, shtetin, popullin”, shtoi ai.
Sipas Zeqirit, paga baza në Policinë e Kosovës është 392 euro, ndërsa për shkak të aksioneve me rrezikshmëri, paga mund të shkojë deri në 470 euro, por që sipas tij, kjo nuk është fare e mjaftueshme për një polic, bazuar në ngritjen e çmimeve në treg.
Ai potencoi se kanë kërkuar që policëve t’iu bëhet edhe sigurimi shëndetësor. Zeqiri tha se kjo do t’i kushtonte shtetit rreth 5 milionë euro dhe të gjithë policët do ta kishin sigurimin.
