Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka njoftuar se vlerëson lartë gjetjet e raportit rajonal të “SecuriMeter 2025”, të organizuar nga Regional Cooperation Council (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), e cila ka realizuar një anketë vjetore për matjet e opinionit publik mbi sigurinë, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas MPB-së, kjo është edhe një dëshmi tjetër e konfirmimit të progresit në vend, në fushën e sigurisë publike dhe besimit në institucione.
“Ajo që është shumë e rëndësishme në bazë të këtij raporti është se: 64% e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen të sigurt, duke e renditur vendin tonë me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë personale në rajon. Në të njëjtin raport theksohet se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të ndjesisë së sigurisë, ndërsa Kosova vazhdon të dallohet për stabilitet dhe besim në institucionet e saj të sigurisë” – shkruan Ministria.
MPB bën të ditur se raporti po ashtu evidenton përpjekjet që kanë bërë institucionet e Kosovës sa i përket punës dhe prezencës në teren, ku thuher se ka një vlerësim të lartë të kënaqësisë me prezencën dhe patrullimet policore në hapësirat publike, si dhe nivelin më të ulët në rajon të perceptimit për ndërhyrje të padrejta të institucioneve të sigurisë në jetën private. Sipas raportit, besimi i qytetarëve në polici është (70.6%), ndërsa në ushtri (74.6%), që dëshmon edhe një herë profesionalizmin dhe integritetin e institucioneve të vendit, sipas MPB-së.
Sipas njoftimit, të dhëna të rëndësishme janë publikuar në këtë raport edhe në aspektin ekonomik dhe social, 58.4% e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën vend të sigurt për të jetuar, ndërsa 80.5% shprehen se nuk kanë plan të emigrojnë, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet paraprake.
“Po ashtu, qytetarët në Kosovë shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon lidhur me qeverisjen, korrupsionin dhe ndikimet e jashtme, duke reflektuar përmirësim të perceptimit për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në të gjeturat kryesore nga ky raport.
Ministria shton se një aspekt tjetër, që ka trajtuar raporti është se qytetarët e Kosovës nuk e perceptojnë ardhjen e të huajve si kërcënim për sigurinë apo stabilitetin ekonomik.
“Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 8,293 leje qëndrimi për shtetas të huaj, prej të cilave 3,974 për qëllime punësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane të menaxhimit të migratëve. Ajo që është shumë e rëndësishme që ka nxjerrë raporti, është edhe orientimi strategjik i Qeverisë së Kosovës, të cilët e konfirmojnë edhe orientimin e qartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik, ku është konstatuar nivel i lartë besimi në anëtarësimin në Bashkimin Evropian me (71.0%) dhe veçanërisht anëtarësimin në NATO me (90.8%)” – thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Brendshme ka theksuar në fund se mbetet e përkushtuar për të thelluar edhe më tej reformat në sektorin e sigurisë, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të garantuar siguri dhe barazi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. MPB njofton se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për një Kosovë të sigurt, demokratike dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.
