Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Alain Giresse ka publikuar të premten listën e futbollistëve për ndeshjet e këtij muaji. Trajneri francez për dy ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, ka ftuar 26 futbollistë.
Kosova këtë muaj përballet me Irlandën e Veriut dhe Qipron në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Në këtë listë, Giresse ka përfshirë edhe tre futbollistë të Superligës së Kosovës, të cilët kanë pranuar ftesë për herë të parë në përfaqësuesen A. Lumbardh Dellovën dhe Lindon Emërllahu I Ballkanit dhe Ilir Krasniqi i Llapit do të jenë në dispozicionin e përzgjedhësit francez.
Po ashtu, bie në sy edhe rikthimi i Leart Paqaradës e Hekuran Kryeziut pas një kohe të gjatë. Ftesë për herë të parë ka pranuar edhe sulmuesi i Aaraut, Shkëlqim Vladi.
Stërvitjen e parë, Kosova do ta mbahet të hënën prej orës 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Më 24 shtator, Kosova luan në Belfast me Irlandën e Veriut kurse tri ditë më vonë e pret Përfaqësuesen e Qipros. Pas katër ndeshjeve të luajtura këtë edicion të Ligës së Kombeve, Kosova zë vendin e dytë në grup me gjashtë pikë.
Këto janë dy ndeshjet e fundit për edicionin e sivjetmë të Ligës së Kombeve.
