Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se pas anëtarësimit me të drejta të plota në EQAR, kësaj radhe Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze.
Nagavci ka thënë se “kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme për MASHTI-n, pasi anëtarësimi lidhet drejtpërdrejt me përkushtimin tonë për të fuqizuar arsimin profesional dhe për ta afruar atë me nevojat e tregut të punës”.
“Synimet tona përfshijnë: përfshirjen aktive të sektorit privat, krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive dhe përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale. Përmes këtij anëtarësimi, Kosova fiton mundësinë të bashkëpunojë me shtete të tjera në forcimin e praktikave cilësore, mobilitetit të praktikantëve dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompani, organizata rinore, dhoma të tregtisë dhe institucione arsimore nga e gjithë Evropa”, shkruan Nagavci.
Nagavci ka njoftuar se EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit:
Praktika profesionale cilësore dhe efektive,
Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,
Angazhim të autoriteteve vendore dhe partnereve socialë,
Pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje.
“Praktikat profesionale ndihmojnë të rinjtë të kalojnë më lehtë nga arsimi në punësim, duke fituar aftësi praktike në një mjedis real pune. Anëtarësimi i Kosovës në EAfA i hap rrugë mundësive të reja për zhvillimin e arsimit profesional dhe përforcon pozitën tonë si vend që synon cilësinë, bashkëpunimin dhe përafrimin me standardet evropiane. Pas aplikimit, si Ministri e Arsimit kemi punuar dhe arritur standardet e nevojshme të kërkuara për t’u pranuar në EAfA. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në vend”, përfundon Nagavci.
Ndërkaq, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një postim në Facebook, e ka cilësuar këtë arritje si një horizont të ri për arsimin dual dhe një mundësi më tëpër për të lidhur arsimin profesional me tregun e punës.
“Horizont i ri për arsimin dual dhe vërtetim i përkushtimit tonë për të lidhur arsimin profesional me tregun e punës”, ka shkruar Kurti.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.