Republika e Kosovës ka marrë pjesë në një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, të koordinuar nga EUROPOL, ku janë përfshirë disa shtete të botës. Si rezultat i operacionit në Kosovë janë arrestuar tre persona.
Operacioni në vendin tonë është zhvilluar të martën, më 3 mars 2026, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Aksioni është realizuar në tri lokacione: Vushtrri, Obiliq dhe Ferizaj.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë ndaluar për 48 orë të dyshuarit me inicialet A.R., A.K. dhe R.H., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik” dhe “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.
Sipas hetimeve, të dyshuarit gjatë periudhës 2023–2025, duke shfrytëzuar njohuritë e tyre teknologjike dhe duke vepruar nën nofka dhe emra të rremë, kanë siguruar në mënyrë të kundërligjshme të dhëna personale, financiare dhe kredenciale. Këto të dhëna më pas janë publikuar në platformën online “LEAKBASE.IO”, me qëllim shitjen dhe përfitimin material, si dhe duke u mundësuar personave të paautorizuar përdorimin e tyre për qëllime kriminale.
Gjatë operacionit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë: 3 kompjuterë llaptopë; 5 shtëpiza kompjuteri; 6 telefona mobilë; 2 pajisje memorizuese.
Ky aksion është pjesë e operacionit ndërkombëtar policor të koduar “OP LEAK”, i zhvilluar në mënyrë të koordinuar dhe të njëkohshme në disa shtete, përfshirë: SHBA-në, Britaninë e Madhe, Australinë, Gjermaninë, Kosovën, Rumaninë, Poloninë, Portugalinë, Kanadanë, Malajzinë, Greqinë, Spanjën, Holandën dhe Belgjikën.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre në luftën kundër krimit kibernetik, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare të sigurisë.