Mungesa e një databaze me të dhëna për personat me autizëm në Kosovës është cilësuar si problem nga shoqatat që merren me trajtimin e tyre.
Në një konferencë të mbajtur me rastin e shënimin e Ditës Botërore të Autizimit, Hatixhe Hoxha, nga Shoqata Autizmi, ka bërë thirrje që të miratohet ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, pasi sipas saj, ky ligj është jetik për këta persona.
“Është problem mungesa e një detabaze për personat me autizëm. Ende nuk ka Kosova një databazë, nuk kemi një numër të caktuar për të ditur sa persona kemi në Kosovë që janë me autizëm. Mungesa e infrastrukturës ligjore, po punojmë me ministrinë për miratimin e ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, është ligj jetik për ta”, u shpreh ajo.
Hoxha ka thënë se problem është edhe mungesa e asistenteve në shkolla. “Ministria e Arsimit ka punuar por kjo është një pikë uji në oqean. Mungesa e logopedëve në shkolla. Trajnimet për edukator në çerdhe dhe kopshte”, ka thënë ajo, raporton EO.
Ajo ka thënë se në qendrën e kësaj shoqate në Prishtinë trajtohen 82 fëmijë me autizëm.
Blerta Perolli, prodekane në Fakultetin e Edukimit, ka thënë se sipas studimeve që janë bërë ndër vite është vërtetuar se ndërhyrja në fëmijëri të hershme ka ndryshuar rrugën e zhvillimit për fëmijët si dhe ka përmirësuar rezultatet te këta fëmijë.
“Ndërhyrjet në fëmijëri të hershme në radhë të parë kanë ndryshuar rrugën e zhvillimit për fëmijët, kanë përmirësuar rezultatet për fëmijët, për familjet dhe komunitetet dhe kanë ndikuar pozitivisht në të gjitha sferat e zhvillimit. Mbështetja e duhur gjatë këtyre viteve të para kritike e nxitë zhvillimin e përmirëson përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre dhe e garanton një cilësi të jetës çfarë të gjithë synojmë të arrijmë”, ka thënë ajo.
Ndërkohe Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për qeverisje të mirë në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se janë në finalizim të strategjisë nacionale për personat me aftësi të kufizuara.
“Sot jemi bërë bashkë për të shënuar Ditë Ndërkombëtare por të njëjtën kohë edhe për të bashkëbiseduar edhe për progresin dhe sfidat nga viti që lamë pas. Duke e ditur që kjo është edhe një ndër prioritet tona si qeveri. Ne si Qeveri jemi fokusuar dhe po punojmë në zbatim të legjislacionit për persona me aftësi të kufizuar. Ne si Qeveri kemi dhënë prioritet çështjes së trajtimi të barabartë dhe ajo që i dedikohet në mënyrë specifike personave me aftësi të kufizuar. Jemi duke zhvilluar strategjinë nacionale për personat me aftësi të kufizuar dhe se jemi në finalizim të kësaj politike përmes këtij dokumenti”, ka thënë ai.