Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është marrë me ndalimin e një produkti nga Serbia. Bëhet fjalë për ëmbëlsirat “Munchmallow”.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë për Ekonominë Online se produkti në fjalë nuk është lejuar për import nga qershori i këtij viti, bazuar në urdhëresën për ndalim të produkteve me origjinë serbe.
“Nga data 14 qershor të këtij viti është dhënë urdhri për ndalesë të importit të produkteve finale nga Serbia, ku bën pjesë edhe ky produkt dhe nga kjo vetëkuptohet që ky produkt mbi bazën e dyshimit që është ngritur në Kroaci, nuk ekziston në tregun e brendshëm. Nga trupat inspektuese në terren, shumica e pikave shitëse fare nuk e posedojnë si produkt dhe ato që eventualisht kanë ende në stoqet e tyre janë të lotëve të prodhimit të datave të mëhershme, pra nuk janë të përfshira në datat që janë raportuar si të dyshimta në Kroaci. Nga kjo datë, ka rezultuar se nuk ka pasur fare asnjë import të regjistruar nga ky produkt në Kosovë dhe po ashtu në tregun e brendshëm e dimë që janë lote shumë të hershme të prodhimit dhe shumica e pikave shitëse nuk e posedojnë fare këtë produkt”, tha Thaçi.